Pronari i ri i 'Ferronikelit' shlyen obligimet ndaj punëtorëve, ua jep nga një pagë

27/11/2018 - 14:38

Nëpërmes të një njoftimi publik, zëdhënësja e "Ferronikelit", Lindita Daija, ka thenë se edhe zyrtarisht "NewCo Ferronikeli Complex LLC", është blerë nga NKL Limited, pjesë e Balfin Group. Pronari i ri, Samir Mane, të martën ua ka paguar të gjithë punëtorëve nga një pagë që u kishte mbetur borxh menaxhmenti i vjetër, ndërsa brenda javës do t'ua paguaj edhe nga një gjysmë page, raporton “Zëri.info”.

Tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar se NKL Limited, e cila është në pronësi të Balfin Group" dhe udhëhiqet nga miliarderi shqiptar, Samir Mane, me seli në Londër është pronar i ri i NewCo "Ferronikelit". "Ferronikeli", nëpërmes të zëdhënëses Lindita Daija edhe zyrtarisht ka njoftuar se NewCo Ferronikeli Complex LLC", një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan, është blerë nga një kompani me seli në Mbretërinë e Bashkuar që kontrollohet nga Balfin Group. Siç thuhet në njoftim, NKL Limited, shumica e aksioneve të cilat janë në pronësi të "Balfin Group", është një kompani e specializuar ne fushën minerare dhe metalurgjike, me seli në Mbretërinë e Bashkuar.

"Kjo kompani ka blerë 100% të aksioneve të NewCo Ferronikeli Complex LLC. NKL Limited ka marrë kontrollin e NewCo Ferronikelit pas ekzekutimit të marrëveshjeve të detyrueshme dhe së bashku me Menaxhmentin e Kompanisë është duke u përkujdesur për të gjitha përgjegjësitë në baza ditore. Balfin Group, menjëherë pas marrjes së kontrollit, ka treguar angazhimin e tij  ndaj NewCo Ferronikelit duke investuar fonde të mjaftueshme për të rifilluar prodhimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Balfin Group gjithashtu është duke bashkëpunuar me kontraktorët e kompanisë, furnizuesit dhe partnerët e saj për të rënë dakord për bashkëpunimin dhe angazhimin e mëtutjeshëm për biznesin dhe operimin e NewCo Ferronikelit. Menaxhmenti i kompanisë është mirënjohës për mbështetjen e plotë që është duke pranuar nga aksionerët e saj të rinj dhe së bashku me Balfin dhe NKL Limited dëshirojnë të shprehin vlerësimin e tyre për punonjësit, partnerët, institucionin bankar, kontraktuesit, furnizuesit dhe të gjithë komunitetin e Republikës së Kosovës. Balfin Group dëshiron të shpreh mirënjohje per mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë në ekzekutimin e blerjes dhe mirëpret investimet tona të fundit në vend", thuhet në njoftimin e zëdhënëses së "Ferronikelit", Lindita Daija.

Ajo ka përkujtuar se NewCo Ferronikeli është një aset strategjik i rëndësishëm për Republikën e Kosovës me rëndësi të madhe për ekonominë në pergjithësi.