E gjithë teknologjia që kompania zotëron është në gjendje funksionale

26/11/2018 - 14:29

NewCo Ferronikeli, një ndër kompanitë më të mëdha eksportuese të Kosovës ka rinisur me sukses prodhimin. E gjithë teknologjia që kompania zotëron është në gjendje funksionale dhe prodhimi u realizua me sukses pas disa javë përgatitjesh. Sikurse dihet, “NewCo Ferronikeli Complex LLC”, një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan së fundi është blerë nga Grupi Balfin. 

Përveç likuidimit të pagave të papaguara për mbi 800 punëtorët e fabrikës, NewCo Ferronikeli ka edhe 200 bashkëpunëtorë përmes kontraktorëve të saj të cilëve iu siguron të ardhura të rregullta, gjë që e rrit në mbi 1,000 persona numrin të bashkëpunëtorëve të kompanisë, thuhet në njoftimin e dërguar nga NewCo Ferronikeli. “Pas investimit të fondeve të mjaftueshme nga ana e Grupit Balfin, prodhimi në fabrikë rifilloi me sukses, dhe kompania ka planifikuar që të ndërmarrë hapa strategjik dhe afatgjatë, për të siguruar zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të kompanisë. Në këtë mënyrë, garantohet një rrugë e sigurt për ta kthyer NewCo Ferronikelin si prodhues strategjik në Kosovë dhe si lider në industrinë e ferronikelit në nivel global. 

Qindra kontraktorë të kompanisë janë në procesin e likuidimit të detyrimeve të papaguara financiare, të nënshkrimit të marrëveshjeve, dhe tashmë janë bërë pagesat e para, ndërkohë që kreditorët e fundit të mbetur janë në procesin e negocimit të kërkesave të tyre”, thuhet në njoftim. Pas rinisjes së prodhimit, synimi është të rritet kapaciteti prodhues, të zgjerohet tregu dhe të rriten eksportet, gjë që do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e rajonit të Drenasit dhe në ekonominë e Kosovës në përgjithësi./21Media

Lexo me shume: http://rtv21.tv/rifillon-prodhimi-ne-fabriken-e-newco-ferronikelit/
© RTV21.tv